Tentoi të digjte makinën e drejtorit të Bashkisë, apeli lë në burg të riun

Tentoi të digjte makinën e drejtorit të Bashkisë, apeli lë në burg të riun

April 15, 2022 0 By admin

Është lënë në burg personi i cili sipas policisë dhe prokurorisë hodhi një shishe me benzinë poshtë makinës së UKT-së, të parkuar para Bashkisë së Tiranë më 25 mars 2022.

 

I riu akuzohet për kryerjen tri veprave penale, ndërkohë që ai ka qenë në apel për shkak se ka kërkuar kundërshtimin e masës së dhënë nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Duke pretenduar se nuk është person i rrezikshëm dhe se nuk ka asnjë ide për tu larguar nga hetimi ai kërkohej të mos hetohej në burg por në një masë tjetër, masë që edhe Apeli nuk ia ka ndryshuar. Ka qenë vetë kjo Gjykatë që ka dhënë një njoftim mbi shqyrtimin e apelimit të çështjes nga ana e të riut të prangosur, i cili e kreu atë akt në mënyrë demonstrative dhe i pakamufluar aspak.

GJYKATA

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të “Ndalimit” dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për personin nën hetim me iniciale E.J, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi, blerja, mbajtja apo shitja e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 151/1, 279/1 dhe 280 të Kodit Penal. Me vendimin nr. 769 Akti, datë 01.04.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:

Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të kryer nga Policia Gjyqësore më datë 29.03.2022, ora 12:20 ndaj shtetasit E.J, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi, blerja, mbajtja apo shitja e armëve të ftohta”. Caktimin ndaj shtetasit E.J, si masë sigurimi atë të “Arrestit në burg’ parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurave Penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi, blerja, mbajtja apo shitja e armëve të ftohta”.

Çështja në Apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale E.J. Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj. Valdete Hoxha, me vendimin nr. 349, datë 14.04.2022 vendosi: Miratimin e vendimit nr.769 akti, datë 01.01.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për sa i përket masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurave Penale, caktuar ndaj personit nën hetim E.J. Bazuar në nenin 245 pika 1 shkronja “d” e Kodit të Procedurave Penale, masa e sigurimit “Arrest në burg” për personin nën hetim E.J, caktohet me afat deri në datë 15.05.2022.