Emigranti nga Fieri që u rikthye në Shqipëri dhe ngriti serrat model të luleshtrydhes për eksport

Emigranti nga Fieri që u rikthye në Shqipëri dhe ngriti serrat model të luleshtrydhes për eksport

April 14, 2022 0 By admin

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli sot shembullin e emigrantit që u rikthye në Shqipëri dhe ngriti serrat model të luleshtrydhes për eksport.

“Jemi në serrat e Olsit dhe familjes së tij në Qarr të Fierit. Një nga fermerët tanë shembuj për dedikimin, punën, përkushtimin dhe mëndjegjerësinë”, u shpreh Krifca.

Ministrja thotë se, Olsi përbën historinë e një djali 10-vjeçar që shkon në Greqi, shkollohet, rritet, nis punë në një sipërmarrje prodhimi fidanësh luleshtrydhesh dhe në moshën 22-vjeçare nis projektin për të sjellë fidanin e luleshtrydheve, pak të njohur, në Shqipëri.

Rikthyer në Shqipëri prej disa vitesh tashmë, së bashku me familjen, Olsi përveçse tregton fidanë dhe eksporton, prodhon luleshtrydhe në 8 hektarë serra.

Nga viti 2014 deri sot në zonën e tij janë kultivuar rreth 200 hektarë luleshtrydhe. Olsi e quan Shqipërinë të bekuar për kushtet klimaterike dhe ujin.

“Olsi është modeli i sipërmarrjeve që po zhvillohen dita ditës”, thotë Krifca, teksa evidenton se politikat e qeverisë kanë në fokus mbështetjen e bujqësisë dhe të sipërmarrjeve të reja në këtë sektor.